Këshilla për jetën
Artur SchopenhauerPërktheu: Erion Kristo
ISBN 978-99927-889-2-5
184 faqe
Çmimi: 500 lekë
Tiranë 2003
Këshilla për jetën” është një nga veprat më të pëlqyera dhe më popullore në lexueshmëri e filozofit që të ngushëllon përmes pesimizmit: Arthur Schopenhauer. Në këtë vepër autori hyn në kontakt dhe bën të prekshme ato zona ku lexuesi i zakonshëm, por edhe natyrat meditative gjen krahë për të zbuluar gjithçka të ndryrë brenda vetes, për të zbuluar më mirë atë dhe për ta vendosur veten në raport me botën dhe të tjerët. Pyetjet më ekzistenciale për qenien bëhen me një inteligjencë të jashtëzakonshme dhe po kështu jepen edhe përgjigjet e autorit nga përvoja e vet dhe përvoja e njerëzimit. Ç’kuptim ka jeta për ty? Po nderi? Po paraja? Po të jesh i lumtur, a ka kuptim? Po të brengosesh a ka vlerë? Po artet ç’vlerë kanë? Po dituria? Këto dhe shumë të tjera janë pjesë e këtij libri të shkëlqyer që të shoqëron gjithë jetën.
Utopia
Thomas MorePërktheu: Erion Kristo
ISBN 978-99927-889-1-7
152 faqe
Çmimi: 500 lekë
Tiranë 2003
“UTOPIA” e Thomas More është cilësuar gjithmonë si një nga librat më të lexuar të kohëve. Kjo, falë stilit të shkëlqyer të këtij peshkopi-shkrimtar dhe filozof, formës së këndshme në të paraqiturit të gjërave si dhe përqasjes së idesë se duhet të jetojmë gjithnjë e më mirë, në një shoqëri gjithmonë e më njerëzore, shoqëri e ngritur mbi parime humane. Si letërsi dhe filozofi, libri ka pasur shumë admirues, por edhe shumë pasues pasi dëshira e krijimit utopik të një bote tjetër imagjinare, të ëndërruar, por edhe ndjellëse, ka qenë gjithmonë e qenësishme për këdo. Kështu, nën këtë frymë i kanë shkruar veprat e tyre edhe Tomaso Kampanela, Frensis Bejkën, Xhonatan Suift, Deni Didëro, nobelisti Anatol Frans, Xhorxh Oruell e plot artistë e filozofë të tjerë. “Shëtitje nëpër intelektin dhe ndjeshmërinë e njerëzimit”, kështu është çmuar kjo vepër e kolanës “Lexime filozofike” që duhet shijuar si lexim.
Filozofia e artit
Hippolyte Adolphe TainePërktheu: Erion Kristo
ISBN 978-99927-919-3-4
232 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2004
Autori e fillon librin me natyrën dhe krijimin e veprës së artit, për të arritur te përcaktimi i thelbit të artit. Sipas konceptit të estetikës së tij, Arti, megjithëse imitim (mimesis), nuk është riprodhim i thjeshtë i natyrës kundruar në pikëvështrimin e dëshirave më të larta të shpirtit. Vepra e artit nuk është fryt i pakuptueshëm i fantazisë apo i tekave të artistit, por ajo mund të shpjegohet përmes shkaqeve: pra është shprehje e një ideje të natyrës dhe jetës. Filozofia e artit rindërton, përmes analizës së të gjithë elementeve, mjedisin, konceptimin e jetës dhe vlerat e shpirtit nga të cilat lind vepra e artit. Artisti është filozof, është kundrues i bukurisë ideale. Ai arrin ta kapë atë dhe të kuptojë “tërësitë”.
Aristoteli
Marjorie GrenePërktheu: Çelo Hoxha
ISBN 978-99943-695-6-3
304 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2005
Portreti i filozofit në këtë libër vjen përmes citimeve autentike, dhjetëra komente të autorëve të ndryshëm klasikë dhe bashkëkohorë, si dhe një bibliografie tejet të pasur, si shpjegim dhe plotësim i opusit të pafundmë të këtij filozofi që ndikoi më shumë se gjithçka tjetër në historinë e qytetërimit perëndimor, që nga Rilindja Evropiane deri në ditët e sotme.
Hegel – fenomenologjia e shpirtit
Ralf LudwigPërktheu: Valentina Kazanxhi
ISBN 978-99943-741-4-1
208 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2005
Ky libër nuk është menduar si një interpretim letrar i përpiktë i tekstit, që e ngurtëson librin dhe e shndërron në një vepër të thatë, siç mund të jetë një leksik apo një fjalor. Më tepër, kjo është një përpjekje për një riprodhim të druajtur të mendimit të fuqishëm të Hegelit, rrekje e ndërtuar në mënyrë që lexuesi, në vazhdën e një leximi progresiv, të kuptojë gjithnjë e më shumë.
Kant – kritika e arsyes së pastër
Ralf LudwigPërktheu: Valentina Kazanxhi
ISBN 978-99943-788-1-3
192 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2005
Libri paraqet një grishje nga ana e lexuesit të specializuar, për t’u nisur bashkë me të në një udhë jo shumë të lehtë, dhe për t’u familjarizuar dora-dorës me fjalorin tipik të artit, e për të arritur më në fund ta lexojmë drejtpërdrejt veprën e tij të madhe, në mënyrë të këndshme e të dobishme.
Adam Smith – pasuria e kombeve – tekste dhe komente
Helen Winter, Thomas RommelPërktheu: Valentina Kazanxhi
ISBN 978-99943-43-01-7
246 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2006
Smithi është një shkrimtar i përkorë dhe i këndshëm, një filozof i mprehtë dhe ironik, por gjithnjë shumë i prerë që nuk mund të rrijë pa i shprehur kritikat e tij në mënyrë të tillë që budallallëku dhe padija të demaskohen vetiu. Kjo e vendos atë në traditën e gjatë të iluminizmit anglez. Vepra Pasuria e kombeve mund të vlerësohet si një nga shtyllat e mendimit politik ekonomik.
Bashkëpirja – botim bilingue
PlatoniPërktheu: Shpëtim Doda
ISBN 978-99943-43-05-X
280 faqe
Çmimi 1000 lekë
Tiranë, 2006
Tek Bashkëpirja (apo Gostia ose Simpoziumi siç e përkthejnë disa përkthyes), më letrari dhe artistiku ndër të gjithë dialogët e tjerë filozofikë të Platonit, autori paraqet dëshirën për hulumtim dhe kuptim filozofik të dashurisë sikur ajo të ishte në vetvete një shpërndërrim i dëshirës seksuale. Idetë dhe konceptet e Platonit mbi Erosin sot krahasohen me ato të Frojdit, siç trajtohen edhe në komentarin shoqërues të këtij botimi. Bashkëpirja botohet me tekstin origjinal përballë dhe shoqërohet me një komentar të plotë.
Filozofia
Edward CraigPërktheu: Shpëtim Doda
ISBN 978-99943-43-71-3
176 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2007
Sa të aftë jemi të jetojmë? Çfarë ekziston me të vërtetë? Si e dimë që ajo ekziston? Ky libër i gjallë dhe gjithëpërfshirës nuk është një veprimtari e ardhur nga ndonjë planet tjetër. Të mësosh rreth filozofisë është një çështje marrëveshjeje dhe varësie të cilën shumëkush prej nesh bën. Ky libër tregon se filozofia nuk është më një e shkuar intelektuale. Mendimtarë si Platoni, shkruesit budistë, Dekarti, Hobsi, Hjumi, Hegeli, Darvini, Milli, dhe vëzhguesit e sjelljeve njerëzore, u janë përgjigjur nevojave të vërteta dhe ngjarjeve. Shumë prej veprave të tyre marrin sot vlerë në jetët tona, dhe shumë prej shqetësimeve të tyre vazhdojnë të jenë njëkohësisht shqetësimet tona.
Filozofia antike
Julia AnnasPërktheu: Shpëtim Doda
ISBN 978-99943-43-65-2
176 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2007
Tradita filozofike e periudhës së lashtësisë është e gjatë, e pasur dhe e larmishme. Një nga karakteristikat e saj të pazhbëshme qëndron tek debati dhe argumentimi. Ky libër synon ta përfshijë lexuesin në disa polemika të periudhës së lashtësisë dhe ta angazhojë atë me zhvillimet e tematikave kryesore të kësaj periudhe. Duke ju shmangur paraqitjes së filozofisë antike si një zinxhir mendimtarësh të mëdhenj, ky libër synon t’i ofrojë lexuesit një freski, gjallëri filozofisë antike dhe larushisë së saj në tema dhe stile.
Platoni
Julia AnnasPërktheu: Eduard Sulo
ISBN 978-99943-776-4-0
120 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2007
Platoni është vlerësuar më shumë se sa një figurë njerëzore për shkak të thellësisë së tij të mendimit dhe madhështisë së konceptimeve të tij filozofike. Në këtë mënyrë të gjykuarit për të, ato që kanë më shumë rëndësi janë deklarimet e mëdha, se sa argumentet dhe ideja e të kërkuarit të së vërtetës. Në antikitetin e vonë, sidomos, Platoni shihej si një lloj figure vigane, një i ditur mbinjerëzor. Por Platoni është gjithashtu edhe filozofi më “i lexueshëm”, filozofi më i kuptueshëm si nga specialistët ashtu edhe nga ata që nuk janë specialistë, dhe kjo për shkak të lehtësisë në lexim dhe bukurisë së shkrimeve (të paktën disa prej tyre) të veta. Disa nga veprat e tij janë aq të famshme për aspektin e vet letrar, sa edhe për atë filozofik.
Makiaveli
Quentin SkinnerPërktheu: Julian Qineti
ISBN 978-99943-776-1-9
132 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2007
Çfarë shtrihet nën reputacionin malinj që Makiaveli ka fituar si emër dhe veprim politik? A është ai vërtet i merituar? Cilat pikëpamje parashtron ai në veprat e tij kryesore në lidhje me politikën dhe moralitetin e saj? Për të kuptuar doktrinat e Makiavelit, duhet të fillojmë të zbulojmë problemet me të cilat ai u përball edhe vetë tek Princi, Diskurset dhe veprat e mendimit politik. Për të fituar këtë këndvështrim, duhet të rindërtojmë kontekstin në të cilin këto vepra u shkruan fillimisht – kontekstin intelektual të filozofisë klasike dhe të Rilindjes, si dhe kontekstin politik të jetës së qytet-shtetit italian në fillimet e shekullit XVI. Pasi ta kemi rivendosur Makiavelin në botën ku u formuan idetë e tij, mund të fillojmë të vlerësojmë origjinalitetin e sulmit të tij mbi hamendësimet mbizotëruese morale të epokës si edhe arsyen pse ky emër është ende aq i përdorursa herë që çështjet e pushtetit dhe udhëheqësitë politike vihen në diskutim.
Spinoza
Roger ScutonPërktheu: Rubin Hoxha
ISBN 978-99943-43-56-0
144 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2007
Benedict de Spinoza (1632-1677) ishte njëherazi ati i Iluminizmit dhe i fundmi mbrojtës i brengosur i Mesjetës. Me sintezën e tij brilante të metodës gjeometrike, ndjenjës religjioze dhe shkencës shekullare, ai u orvat të pajtonte nevojat e përkundërta morale e intelektuale të epokës së tij si dhe të paraqiste një përfytyrim të njerëzimit të lidhur njëkohësisht nga domosdoshmëria dhe përjetësisht të lirë. Roger Scuton paraqet një analizë të qartë e sistematike të mendimit të Spinozës, duke vënë në dukje lidhjen e këtij mendimi me rrekjet e sotme intelektuale.
Heidegger
Michael InvoodPërktheu: Albana Kozeli
ISBN 978-99943-776-5-7
176 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2007
Martin Heideger, i cilësuar nga disa si një nga sharlatanët më të mëdhenj që kanë marrë ndonjëherë titullin e “filozofit”, nga disa si përkrahës i nazizmit, dhe nga disa të tjerë si një udhëheqës i ditur i filozofisë së kontinentit tonë, ndoshta është mendimtari më i dyzuar i shekullit XX. Panorama e kthjellët e Michael Inwood-it për mendimin e Heidegerit përqendrohet në veprat e tij më të rëndësishme, Qenia dhe Koha, dhe në temat e tij të mëdha të ekzistencës në botë, inautenticitetit, fajësisë, fatit, të vërtetës dhe natyrës së kohës. Këto tema janë shqyrtuar sërish edhe në këndvështrimin e veprave të fundit të tij, sidomos ato lidhur me artin, poezinë, gjuhën dhe zhgënjimin nga nazizmi. Ky libër është një udhërrëfyes i paçmuar për mendimin kompleks dhe të vëllimshëm të njërit prej filozofëve më të mëdhenj, ende enigmatikë të shekullit XX.
Filozofia politike
David MillerPërktheu: Elton Tahirllari
ISBN 978-99943-776-8-8
172 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2007
Si duhet jetuar së bashku në shoqëri? Tekefundit, përse na nevojitet qeveria? Ç’kuptim ka drejtësia sociale? Filozofia politike shtron pyetje dhe gjen përgjigje duke hulumtuar çështje rreth natyrës dhe qëllimit të qeverisjes, të cilat çdokush duhet t’i shqyrtojë. Te kjo Hyrje e Shkurtër, David Miller tregon rëndësinë praktike të filozofisë politike dhe shqyrton disa prej këtyre çështjeve themelore, duke ngritur pyetjen se përse demokracia është forma më e mirë e qeverisjes dhe cilat sfera të jetës duhen mbrojtur nga ndërhyrja e politikës. David Miller trajton gjithashtu edhe sfidat e reja të shtruara nga feminizmi, multikulturalizmi dhe globalizimi, duke shtruar pyetjen nëse idealet e qeverisjes së mirë, që lindën fillimisht në epokën e qytet-shteteve, gjejnë ende zbatim në ditët e sotme.
Antropologjia social – kulturore
John Mona ghan & Peter JustPërktheu: Bashkim Shehu
ISBN 978-99943-776-6-4
168 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2007
Duke përdorur shembuj jetësorë nga përvoja e tyre në Indonezi dhe Meksikë, John Monaghan dhe Peter Just i japing lexuesit arsye se ç’do të thotë të jesh antropolog, duke përcaktuar gjithashtu edhe fushëpamjen që e bën këtë disiplinë të veçohet nga shkencat e tjera shoqërore. Autorët japin shpjegime të kapshme dhe konçize mbi pyetjet e “mëdha” ku janë përqendruar antropologët që prej zanafillës së krijimit të kësaj fushe të shkencës. “Ç’është unike në qenien humane? Si janë formuar grupet njerëzore – familjet, klasat, fiset, kombet – dhe ç’i mban ata të lidhur bashkë? Ç’natyrë ka besimi, shkëmbimet ekonomike, vetvetja”?
Psikologjia
Gillian Butler & Freda McManusPërktheu: Sonila Meçe
ISBN 978-99943-43-16-4
180 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2007
Një libër mjaft i lexueshëm, ngacmues dhe i shkruar bukur, që kombinon informacionin faktik me një ndershmëri, për t’u vlerësuar, në lidhje me kufizimet aktuale të njohurive. Ai na sjell të gjallë atë që e bën tërheqëse psikologjinë, kuptimin, rëndësinë dhe sfidat e saj tipike. Anthony Clare ‘një hyrje e shkëlqyer ... shumë e këndshme dhe e lehtë për t’u lexuar, jashtëzakonisht konçize dhe e saktë, dhe me një këndvështrim kritik e të sofistikuar ndaj metodave të kërkimit.’ Michael Argyle, Universiteti i Oksfordit
Socializmi
Michael NewmanPërktheu: Elton Tahirllari
ISBN 978-99943-776-9-5
200 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2007
Ç’është socializmi? A ka një të ardhme për të, apo kemi të bëjmë me një ideologji të vjetruar për shekullit XXI? Michael Newman shqyrton e shtjellon njëkohësisht sukseset dhe dështimet e socializmit, që nga faza e vet fillestare deri tek socializmi modern, duke e parë atë nga një këndvështrim ndërkombëtar, i cili nis me Komunizmin kuban e përfundon me Socialdemokracinë suedeze. Ky libër trajton evolucionin e socializmit që nga lindja e tij në qytetet industriale të shekullit XIX e deri tek reagimi socialist ndaj lëvizjeve Feministe, të Gjelbra e Antikapitaliste sot.
Frojd
Anthony StorrPërktheu: Erion Kristo
ISBN 978-99943-43-57-7
192 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2007
Zigmund Frojdi revolucionarizoi mënyrën me të cilën ne mendojmë për vetveten. Nga fillesat e saj si një teori e neurozës, Frojdi e ktheu psikoanalizën në një psikologji të përgjithshme, e cila u pranua gjerësisht si mënyra mbizotëruese në diskutimin e personalitetit dhe marrëdhënieve ndërpersonale. Anthony Storr shkon më tej dhe hulumton statusin e trashëgimisë frojdiane sot dhe diskutimet rreth saj.
Jung
Anthony StevensPërktheu: Erion Kristo
ISBN 978-99943-43-55-3
194 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2007
Anthony Stevens argumenton se aftësitë largpamëse të Jungut dhe spiritualiteti i thellë i tij kanë ndihur shumë njerëz të gjejnë një ngrehinë alternative vlerash kundrejt materializmit të zhveshur, i cili sundon në shoqërinë perëndimore. Kjo hyrje e shkurtër shpjegon qartë konceptet themelore të psikologjisë jungiane: pavetëdija kolektive, kompleksi, arketipi, hija, vetvetja, anima, animus dhe individualizimi i Vetes. Anthony Stevens shqyrton pikëpamjet e Jungut lidhur me subjekte të ndryshme si miti, feja, alkimia, ‘njëkohësia’ dhe psikologjia e dallimeve gjinore. Ai u kushton kapituj të veçantë fazave të jetës, teorisë së Jungut për tipat psikologjikë, interpretimit të ëndrrave, praktikës së analizës jungiane dhe akuzës së padrejtë se Jungu ishte dashamirës i nazistëve.
Locke
John DunnPërktheu: Erion Kristo
ISBN 978-99943-43-81-2
128 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2008
Xhon Loku, një nga filozofët më të mëdhenj anglezë të fundit të shekullit XVII dhe fillimit të shekullit të XVIII, në kryeveprën e tij Përsjatje mbi të kuptuarit njerëzor argumenton se njohja jonë mbështetet tek pëvoja dhe përftohet si e tillë kryesisht përmes shqisave; porse mesazhi që përçonte mendimi i tij për fat të keq u keqkuptua. Në këtë libër John Dunn-i tregon se si arriti Locke-u në përvijimin e teorisë së tij të njohjes dhe se si shtjellimi që ky i bëri vlerave liberale të tolerancës dhe qeverisjes së përgjegjshme arritën të përftoheshin si pjesë qendrore e mendimit të Evropës iluministe të shekullit të XVII.
Hobbes
Richard TuckPërktheu: Erion Kristo
ISBN 978-99956-29-06-9
160 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2008
Tomas Hobsi ishte i pari filozof i madh anglez në lëmin e mendimit politik. Vepra e tij Leviathan ishte me të vërtetë e para ndër veprat e filozofisë moderne. Për një kohë të gjatë ai është vështruar si një ateist pesimist, që e pikturonte natyrën njerëzore si pashmangshmërisht të ligë, çka e shtyu drejt përvijimit të idesë së një shteti totalitar, i cili përmes nënshtrimit do të synonte të shmangte mangësitë apo ligësitë e njeriut të vështruar si qenie individuale. Në këtë studim dritëhedhës, Richard Tuck rreh të zhveshë një e nga një mitet e mësipërme, për të na zbuluar një Hobs të lëshuar, plot pasion, kundër hedhjes poshtë skepticizmit qoftë në shkencë qoftë në etikë. Krahas kësaj autori tregon se si Hobsi lëvroi një teori njohjeje, që për nga rëndësia, në formimin e filozofisë moderne rivalizon ndjeshëm teorinë e lëvruar nga Dekarti.
Sociologjia
Steve BrucePërktheu: Albana Kozeli
ISBN 978-99943-43-83-6
136 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2008
Duke u mbështetur në qëmtimet mbi klasën shoqërore, krimin dhe shmangien në shoqëri, punën në sistemet burokratike dhe ndryshimet në gjirin e organizatave politike dhe fetare, kjo hyrje e shkurtër në Sociologji synon të nxjerrë në dritë tensionin mes rolit të individit në shoqëri dhe rolit të shoqërisë në formimin e individit, duke pasqyruar kësisoj vlerën e sociologjisë si një perspektivë për të kuptuarit e botës moderne.
Russell
A. C. GraylingPërktheu: Julian Qineti
ISBN 978-99943-43-82-9
160 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2008
Bertrand Rasëll ishte një nga filozofët më të famshëm dhe më të rëndësishëm të shekullit të XX. Në këtë shtjellim të jetës dhe veprës së tij, A. C. Grayling na paraqet qoftë kontributet që Rasëlli solli në mendimin filozofik dhe në logjikën e shekullit të XX, qoftë pikëpamjet e tij të gjera mbi arsimin, politikën, luftën dhe moralin seksual. Rasëlli shihet si një nga themeluesit e filozofisë analitike moderne, si dhe një ndër personalitetet që luajti një rol të rëndësishëm në revolucionin e sjelljeve dhe qëndrimeve sociale që u shfaqën në mbarë botën. Ky libër na jep një vështrim të qartë në lidhje me tërë arritjet dhe shtrirjet e mendimit të Rasëllit.
Habermas
James Gordon FinlaysonPërktheu: Elton Tahirllari
ISBN 978-99943-43-80-5
200 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2008
Jürgen Habermasi është një nga filozofët me ndikim më të gjerë në mendimin filozofik bashkëkohor. Në veprat e tij gërshetohen teori sociale, morale, politike dhe të së drejtës, duke hedhur dritë mbi tema që shtrihen nga Marksizmi deri te Bashkimi Evropian. Sakaq, një rëndësi të veçantë zë edhe analiza e rolit që luan komunikimi dhe ligjërimi në botën moderne. James Gordon Finlayson, përmes një gjuhe të qartë dhe lehtësisht të kapshme tregon se si teoria e Habermasit paraqitet si një tërësi përgjigjesh mbi pyetjet dhe çështjet më të rëndësishme mbi natyrën e shoqërisë moderne dhe, për rrjedhojë, mund të formësojë jo pak pikëpamjet dhe mënyrën tonë të të vështruarit të çështjeve dhe ngjarjeve më të rëndësishme të kohëve tona.
Zhan Zhak Ruso
Robert WolkerPërktheu: Julian Qineti
ISBN 978-99943-43-72-0
168 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2008
Bashkë me Monteskienë, Hjumin, Smithin dhe Kantin, ndër bashkëkohësit e tij, Rusoi ka ushtruar ndikimin më të madh në historinë moderne intelektuale evropiane, duke ia kaluar madje çdo filozofi tjetër të kohës. Asnjë mendimtar tjetër i shekullit XVIII nuk ka ndihur më fort se Rusoi përmes teksteve të disiplinave dhe formave të shumëllojta dhe askush nuk ka shkruar me të atillë pasion dhe elokuencë të fuqishme si ai. Si gjithë burrat e shquar të Republikës Botërore të Letrave, pa dyshim që edhe Rusoi kishte shumë interesa të tjera veç politikës...
Kierkegaard
Patrick GardinerPërktheu: Shpëtim Doda
ISBN 978-99956-29-29-8
136 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2009
Søren Kierkegard, një nga mendimtarët më origjinalë të shekullit të XIX shkroi intensivisht mbi temat që lidheshin kryesisht me fenë, psikologjinë dhe letërsinë. Ky libër tregon se si Kierkegard i lëvroi idetë dhe pikëpamjet e tij në kundërrjedhë me opinionet dhe qëndrimet sunduese të kohës. Në këtë libër, Patrick Gardiner-i përshkruan reagimin e Kierkegardit ndaj teorive etike dhe fetare të Kantit dhe Hegelit, duke treguar në të njëjtën kohë se si qëndrimi i tij binte ndesh me doktrinat e lëvruara nga Fojerbahu dhe Marksi. Diagnostikimi i hollësishëm që Kierkegardi i bën gjendjes në të cilën ndodhet natyra njerëzore, e cila përmblidhet në kuptimin e thellë që përmban zgjedhja individuale, është padyshim teoria që krijoi ndikimin më të thellë në zhvillimet filozofike të mëvonshme, sidomos rrymës së ekzistencializmit. Sakaq, Patrick Gardiner-i qëmton në mënyrë kritike konceptin dhe qëndrimin paradoksal që Kierkegardi kish në lidhje me fenë. Kjo hyrje dritëhedhëse përfundon me ndikimin që Kierkegardi la në mendimin filozofik bashkëkohor.
Fridrih Niçe
Michael TannerPërktheu: Shpëtim Doda
ISBN 978-99943-776-7-1
128 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2009
Nuk ka figurë artistike apo kulturore të nëntëdhjetë viteve të fundit që të mos ketë njohur ndikimin nga Niçe, duke filluar që nga Tomas Mani e deri te Haidegeri. Tani ekziston një industri e begatë e Niçes, dhe, padyshim, çdo vit për të dalin në qarkullim më shumë libra se sa për çdo mendimtar tjetër. Kjo, falë thirrjes dhe grishjes që ai u ka bërë shumë shkollave të dëshpëruara të mendimit dhe antimendimit.
Wittgenstein
A. C. GraylingPërktheu: Shpëtim Doda
ISBN 978-99956-29-12-0
216 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2009
Ludvig Vitgenstaini ishte një filozof jashtëzakonisht origjinal, ndikimi i të cilit në mendimin e shekullit të XX shkon përtej kufijve të filozofisë. Në këtë libër, që synon ta shtjellojë mendimin e Vitgenstainit në mënyrë sa më të kapshme dhe të kuptueshme për lexuesin e gjerë, A. C. Grayling hedh dritë mbi natyrën dhe mbi ndikimin që krijuan idetë e Vitgenstainit. Në këtë libër autori rreh të përshkruajë qoftë mendimin dhe idetë që Vitgenstaini lëvroi në periudhën e tij të hershme, qoftë mendimin dhe idetë që lëvroi në periudhën e tij të mëvonshme, duke rrahur të ngërthejë ndryshimet dhe lidhjet mes tyre për të na dhënë kësisoj përftesat që ndikimi i vazhdueshëm i Vitgenstainit krijuan në hullinë e mendimit bashkëkohor.
Schopenhauer
Christopher JanawayPërktheu: Albana Kozeli
ISBN 978-99943-720-3-3
152 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2009
Shopenhaueri është më i lexueshmi ndër tërë filozofët gjermanë. Ky libër na jep një shpjegim të ngjeshur dhe sa më përmbledhtas të sistemit të tij metafizik, duke u përqendruar në pamjet origjinale të mendimit të tij, që u shfaq si burim frymëzimi për artistë dhe mendimtarë të shumtë, duke nisur nga Niçe, Vagner, Frojd dhe Vitgenshtain. Christopher Janway vendos përballë njëra-tjetrës pikëpamjen pesimiste të Schopenhauer-it, sipas të cilës për qenien njerëzore do të kish qenë më mirë të mos ekzistonte me idenë e tij, sipas të cilës vetëm vetëmohimi, largimi nga vullneti, është gjithë sa i jep vlerë jetës. Në këtë libër Shopenhaueri na zbulohet si një mendimtar sfidues, progresist dhe me ndikim gjithnjë e më të gjerë.
Sokrati
Christopher TaylorPërktheu: Elton Tahirllari
ISBN 978-99956-29-31-1
132 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2009
Sokrati gëzon një vend unik në historinë e filozofisë. Nuk do të ishe aspak e tepruar të pohonim se në qoftë se nuk do të kishte ndikuar te Platoni, i tërë zhvillimi i filozofisë perëndimore do të kish marrë një rrjedhë krejtësisht të ndryshme. E megjithatë, Sokrati nuk shkroi asgjë; tërë sa njohim rreth tij e peshkojmë kryesisht në përmasat e figurës mbresëlënëse dhe marramendëse që na shpalos Platoni në dialogët e tij. Në këtë libër, Christopher Taylor-i hedh dritë rreth marrëdhënies që ngërthejmë mes Sokratit si qenie historike dhe Sokratit si personazh i dialogëve të Platonit. Krahas kësaj, Taylor-i qëmton me kujdes imazhin kohëgjatë të Sokratit si shembëllimi ideal i jetës së filozofit: një mendimtar, jeta e të cilit ish formësuar deri edhe në qelizat më të imëta nga prirja për të ruajtur të pacenuar integritetin moral dhe intelektual, madje edhe përballë dënimit dhe ekzekutimit nga ana e bashkëqytetarëve athinas.
Descartes
Tom SorellPërktheu: Shpëtim Doda
ISBN 978-99956-29-30-4
160 faqe
Çmimi 600 lekë
Tiranë, 2009
René Dekarti kishte një jetë fare të shkurtër pune; vepra që shkroi ishte e vogël në vëllim. E megjithatë, kontributet që kjo vepër solli në zhvillimin e filozofisë dhe shkencës shfaqen të ndjeshme deri edhe në ditët tona. Ka fort të ngjarë që emri i tij është bërë i njohur falë famës që njohu shprehja e tij “Cogito, ergo sum”. Përmes gërshetimit të “intuitës” dhe “deduksionit” Descartes-i arriti të shohë te parimi i “cogito”-s ekzistencën e botës materiale. Sakaq, Dekarti nuk kërkoi ta veçonte apo ta shmangte asnjëherë metafizikën prej punës së tij shkencore, punë e cila përfshinte në vetvete një varg hulumtimesh të rëndësishme në domenet e natyrës, matematikës, psikologjisë dhe optikës. Në këtë libër, Tom Sorell tregon se si Dekarti ish para së gjithash një përvijues dhe lëvrues i një qasjeje të re ndaj matematikës në domenin e natyrës, dhe se si për të mbështetur programin e tij në lëmin e shkencës, Dekartit iu desh të lëvronte një vizion metafizik tërësisht origjinal.
Filozofi i paditur
VolterPërktheu: Erion Kristo
ISBN 978-99927-886-1-2
108 faqe
Çmimi 300 lekë
Tiranë 2003
Kush je? Nga vjen? Çfarë bën? Çdo të bëhesh? Ekzistojnë nja njëqind shkolla filozofike, ku shpjegohen gjëra për të cilat askush nuk mund ta ketë as idenë më të vogël. Djali i Hipokratit, në moshën katërvjeçare, provonte qarkullimin e gjakut duke vendosur një gisht mbi dorë; ndërsa Hipokrati nuk e dinte se gjaku qarkullonte. Ne jemi fëmijë përgjatë gjithë jetës sonë: kryejmë gjëra të mrekullueshme dhe asnjë filozof nuk di se si bëhen ato. Njëqind e tetë faqe për të thënë se nuk dimë asgjë, janë faqe të shpenzuara kot, por librat e atyre që besojnë se dinë diçka, janë edhe më kot.
Arti i të jetuarit
Artur ShopenhauerPërktheu: Erion Kristo
ISBN 978-99927-797-4-8
120 faqe
Çmimi 300 lekë
Tiranë 2003
Ajo që i bën të shoqërueshëm njerëzit, është paaftësia e tyre për të duruar vetminë dhe vetveten në të. Shpirti i tyre nuk ka zhdërvjelltësinë e mjaftueshme për të vetëlëvizur, pra dhe shtysat duhen kërkuar tjetërkund. Ata kanë nevojë të ngutshme për një nxitje nga jashtë, si ajo që mund të japin qënie të ngjashme me ta. Pa këtë, shpirti i tyre nuk e mban dot peshën e vet dhe bie në një letargji shtypëse. Duke qenë secili një pjesëz e vogël e idesë së bashkësisë njerëzore, kemi nevojë të ndihemi të realizuar përmes kontaktit me të tjerët, në mënyrë që të kemi një vetëdije të plotë.
Si të sillemi me gratë
Artur ShopenhauerPërktheu: Reshat Konçi
ISBN 978-99927-797-8-0
108 faqe
Çmimi 300 lekë
Tiranë, 2003
Me gratë natyra ka kryer një goditje mjeshtërore: ka bashkuar në një kohë të caktuar të rinisë, të gjitha bukuritë dhe yshtjet për të tërhequr fort vështrimet e përhumbura të burrave. Çfarë mund të na mësojnë filozofët për sjelljen ndaj grave, kur atyre u takon të jenë mbrojtës të diturisë, ndonëse vetë kanë qenë të pafat në dashuri? Ç’na këshillojnë ata për t’u mbtojtur nga sjelljet bredhacake për të frenuar këtë synim të dëshirës sonë? Çfarë strategjie na këshillojnë për t’u hequr tekat seksit delikat kur dihet dashuria është si feja: nuk arrihet me forcë.
Miqësia
CiceroniPërktheu: Erion Kristo
ISBN 978-99943-604-9-3
96 faqe
Çmimi 300 lekë
Tiranë, 2004
Miqësia është e vetmja gjë njerëzore për dobinë e së cilës të gjithë pajtohen njëzëri. Ajo është dhuruar nga natyra si lindëse virtytesh dhe nëse virtyti i vetëm nuk mund të arrijë majat më të larta, ai mund t’i arrijë ato. Në ç’mënyrë mund të jesh mik i dikujt për të cilin mendohet se mund ta kesh armik? Miqësia është një cilësi që u përket njerëzve të ndershëm dhe për së mbari, që përmes saj garantojnë rendin shoqëror. Këta njerëz të mirë janë një klasë e vërtetë shoqërore dhe Ciceroni shpreson se ata mund të shërojnë plagët e shtetit dhe të shoqërisë.
Arti i të pleqëruarit
CiceroniPërktheu: Erion Kristo
ISBN 978-99943-604-8-5
96 faqe
Çmimi 300 lekë
Tiranë, 2004
Thuhet se pleqëria e largon njeriun nga jeta aktive. Thuhet se ajo i mpak forcat duke e bërë trupin të dobët, se e zhvesh plakun nga gëzimet e jetës, nga pasionet e dashurisë dhe se me pleqërinë njeriu i afrohet gjithnjë e më shumë vdekjes. Pleqëria i dobëson forcat e trupit, por nuk dobëson jetën shpirtërore. Fakti që pleqëria i afrohet gjithnjë e më shumë vdekjes, nuk duhet ta dëshpërojë njeriun, por ta qetësojë, sepse vdekja është një kthim në zanafillë. Sipas Ciceronit, e fshehta e artit të pleqëruarit është mbajtja gjallë e interesave, bërja e një jetë të rregullt dhe të përkorë.