Shtëpia botuese IDEART e nisi veprimtarinë në vjeshtën e vitit 2002.

Që në krye ajo nuk u konceptua si një editor për t’iu bashkuar radhës së botuesve të tregut shqiptar të librit; përkundrazi, larg çdo lloj prirjeje për t’u shpalosur si një aneks i ndonjë forme a natyre, që në hapat e para të veprimtarisë së vet botuese, IDEART ka mëtuar vazhdimisht t’u ofronte lexuesve shqiptarë diçkanë që mungonte: lidhjen dhe familjaritetin e fortë dhe të qenësishëm me Librin. 

Ky synim ka qenë dhe mbetet linfa e veprimtarisë botuese të IDEART, çka shfaqet qartësisht e mishëruar në moton:

 

… Nuk botojmë thjesht libra, krijojmë biblioteka

Duke ndjekur me besnikëri dhe përkushtim moton tonë, përmes veprimtarisë së vet botuese, IDEART arriti të bëhet shumë shpejt faktor në fushën e përfaqësimit të librit shqiptar dhe atij të përkthyer në shqip, librit shkollorë e së fundmi me risi si: librin dhuratë, librin e kuzhinës dhe metodat interaktive për mësimin e gjuhës shqipe dhe anglishtes fillestare për fëmijë.
Falë përkushtimit të stafit, përzgjedhjes së autorëve dhe veprave, përkthyesve, grupit redaktorial dhe paraqitjes së lartë grafike, IDEART ka arritur të krijojë profilin e vet si botues i prirë drejt vendosjes së një sistemi vlerash, të rregullave të paanshme të editorisë, respektimin e të drejtave autoriale, orientimit nga bashkëkohësia letrare dhe hapje për bashkëpunim efikas.
Në botimet e veta, të formatuara për nivele të ndryshme lexuesish, që nga ai akademik e shkollorë e deri te lexuesi i zakonshëm dhe fëmijët, IDEART ka ofruar, nga njëra anë, pikëtakime me literaturën e sotme si përparësi dhe nga ana tjetër ruajtjen e kujtesës së shijes klasike të leximeve përmes prurjeve të përkthyesve të rinj në moshë, por me përvojë dhe sharm gjuhe. IDEART ka botuar rreth 300 tituj veprash, duke investuar kështu, për librin, autorët dhe lexuesin.
Në tregun e librit IDEART prezantohet me këto kolana botimesh: Letërsi Shqipe, Letërsi e Përkthyer, Lexime Filozofike, Lexime Historike, Letërsi për Fëmijë (Libërngrënësi), Libër Dhuratë, Libër Kuzhine, Libër Shkollor. Misioni ynë është që me botimet e larmishme Ideart të nxisim vëmendjen e lexuesit dhe të krijojmë një vend më shumë në bibliotekë.